Deklarata shokuese e ambasadorit amerikan – Zyrtarët e lartë shtetërorë të përfshirë në trafikun e femrave

Deklarata shokuese e ambasadorit amerikan – Zyrtarët e lartë shtetërorë të përfshirë në trafikun e femrave

Mes personave që kanë qenë të përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore janë edhe zyrtarë të shtetit shqiptar, të cilët duhet të dënohen maksimalisht.

Këtë deklaratë bëri të premten ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, teksa shtoi se ndjen neveri ndaj tyre. Donald Lu akuzoi pa emra konkretë drejtues të vendeve të Shqipërisë dhe rajonit.

“Disa prej rasteve më prekëse kanë qenë gjatë vizitave në qendrat e strehimit të OJQ, kam takuar vajza të reja që janë kthyer nga trafikimi. Ky është një krim i paimagjinueshëm dhe është kundër vlerave të njerëzve që jetojnë në Shqipëri e Ballkanin Perëndimor. Ndjej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi dhe nga vende të tjera në rajon kanë qenë burra që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen më gjithë fuqinë e ligjit”, – u shpreh kryediplomati në konferencën rajonale kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Më tej, ambasadori Donald Lu i ka bërë një thirrje të fortë qeverisë duke i kërkuar të dorëzojë me urgjencë fondet për gratë dhe fëmijët që bien viktima të trafikimit.

Lu tha se do të krijohet një rrjet rajonal bashkëpunimi kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku qëllimi është jo vetëm strehimi i këtyre ‘viktimave’, por edhe që ata të kenë siguri dhe vetëbesim.

“Qëllimi afatgjatë nuk është vetëm vendosja e viktimave në strehë por që të dalin prej tyre me aftësi, siguri financiare dhe vetëbesim. U bëjmë thirrje qeverive të rajonit, por veçanërisht Shqipërisë, të ofrojnë fonde për strehimin e grave dhe fëmijëve të trafikuar. Këtu ka nevojë që qeveria jo vetëm të angazhohet politikisht për të siguruar financim, por të dorëzojë fonde pa vonesë për gratë dhe fëmijëve që janë viktima të trafikut”, shtoi Lu.

Për diplomatin amerikan  kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa bashkëpunim rajonal.

“Për ta bërë këtë vendet e rajonit duhet të mendojnë për zbatimin e  ligjit në një kontekst rajonal. E përgëzoj Shqipërinë që ka treguar udhëheqje rajonale. Trafikimi i qenieve njërëzore nuk është një çështje që zgjidhet pa bashkëpunim rajonal, DASH e kupton këtë dhe mbështet qeveritë e OJQ-të”-u shpreh Ambasadori Lu.