Deputeti me pasaportë shqiptare thotë se “ndjenë keqardhje që kosovarët mbetën pa viza”

Deputeti me pasaportë shqiptare thotë se “ndjenë keqardhje që kosovarët mbetën pa viza”

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili është pajisur me pasaportë të Shqipërisë, që i garanton atij lëvizjen pa viza në BE, ka bërë një deklarim tallës kur është pyetur nga Insajderi, për atë sesi ndihet që qytetarët e Kosovës, nuk mund të udhëtojnë askund.

Gashi që i përket partisë që ka udhëhequr me vendin në qeverinë e kaluar të drejtuar nga Isa Mustafa (LDK-së), ka thënë se nuk ndjen kurrfarë përgjegjësie për mos liberalizim të vizave, por vetëm keqardhje.

Në një bisedë për Insajderin ka thënë se të gjitha kushtet Kosova i ka kryer.

“Janë kryer të gjitha procedurat që janë dashur të kryhen nga institucionet e Kosovës. Të gjitha kushtet janë kryer dhe ka mbet vetëm edhe këshilli i ministrave në Parlamentin Evropian, aty ka mbet që të jepet data dhe nuk ka asgjë tjetër”.

“Është jashtë fuqisë së Kosovës. Çdo gjë që ka pas për t’u plotësuar është plotësuar dhe nuk varet nga askush në Kosovë”, ka deklaruar Gashi për Inasjderin.

Ai ka shprehur vetëm keqardhje ndaj izolimit të qytetarëve të Kosovës. Thotë se sikurse të kishte mbetur ndonjë kusht të paplotësuar nga Kosova atëherë do të kishte përgjegjësi personale.

“Është për keqardhje por nuk është në fuqi tona. Këtë çështje e vendosë këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian, është çështje ku duhet të futet në rend të ditës dhe të caktohet data. Sikurse të kishte pasur diçka për institucionet e Kosovës dhe nuk po e bëjmë atëherë do të ishte përgjegjësi personale, por tash është jashtë kompetencave të institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Gashi për Inasjderin.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme Inajderi ka raportuar se, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kishin bërë kërkesë që të pajisen me pasaporta shqiptare.

Me pasaportë të Shqipërisë, ata nuk kanë nevojë as të shkojnë në ambasada për të aplikuar për vizë, e as për termine, pasi që për shtetasit e Shqipërisë nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin Evropian.

Më parë, pasaportën shqiptare e kishin marrë edhe tash lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe anëtarë të tjerë të VV-së si Glauk Konjufca, Liburn Aliu e Hydajet Hyseni.

Me pasaportë shqiptare ishin pajisur edhe anëtarët e PSD-së, si Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Visar Ymeri, si dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në korrik të 2017-ës, shtetësinë shqiptare e fituan edhe ish-zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi me bashkëshorten e tij.

Veç tyre, Shqipëria i dha shtetësinë edhe ish-kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila.

Edhe nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, vëllai i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte pajisur me pasaportë shqiptare, sikurse këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Gazmend Abrashi.

Përveç politikanëve, shtetësinë shqiptare e kanë fituar edhe fytyra tjera publike në pozita të larta institucionale, siç është kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni./Insajderi.com