Deklarimi i Thaçit para intervistimit në Hagë: Ky është çmimi për Pavarësinë

Deklarimi i Thaçit para intervistimit në Hagë: Ky është çmimi për Pavarësinë

“Ky është çmimi për Pavarësinë”, u ka thënë Hashim Thaçi dhjetëra qytetarëve të mbledhur para selisë së Gjykatës Speciale, para se të futej për intervistim, njofton Insajderi.

Presidenti i Kosovës ka mbajtur një fjalim të shkurtër para qytetarëve që ishin mbledhur nga vende të ndryshme të Evropës në përkrahje të tij dhe kundërshtim të Speciales.

“Sot jam këtu për të respektuar atë që kam ëndërruar dhe kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim”, ka deklaruar Thaçi, transmeton Insajderi.

“Ky është çmimi për Pavarësinë. Besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është një histori suksesi dhe jam shumë krenar. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë”, ka deklaruar presidenti kosovar.

Thaçi është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim, pas aktakuzës që u bë publike me 24 qershor, ku presidenti, bashkë me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, akuzohet për krime lufte./Insajderi.com