Dy të akuzuarit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përcjell Insajderi.com.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë, raporton Betimi për Drejtësi.
Kurse, i akuzuari, Kadri Shala, tha se do të lë mundësinë që lidhur me deklarimin e fajësisë të deklarohet në fazat tjera.
“Nëse ka mundësi, lidhur me fajësinë të deklarohem në fazat tjera”, tha i akuzuari.
Pasi që nuk e pranuan fajësinë, gjykatësi, Arben Hoti, i ka njoftuar të akuzuarit se brenda 30 ditëve kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Po ashtu, Hoti ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Shala, që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.
Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.
Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.
Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Grusha dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.
“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.
Ai shtoi se Beogradi arriti të hapë një perspektivë ekonomike për popullin serb në Kosovë, të investojë në arsim, shëndetësi dhe politikë sociale, që sjell rezultate të caktuara, por se “niveli i respektimit të të drejtave të njeriut të popullit serb në Kosovë dhe Metohia është e papranueshme e ulët”./Insajderi.com