Dekorimi i kryeqytetit përfundon brenda dy ditësh, do të kushtojë 54 mijë euro

Dekorimi i kryeqytetit përfundon brenda dy ditësh, do të kushtojë 54 mijë euro

Është data 23 dhjetor e kryeqyteti ende nuk është stolisur, sikur ka ndodhur viteve të kaluara e me qytetet tjera të Kosovës.

Punimet për dekorimin e kryeqytetit kanë vazhduar edhe këtë të diel, nga kompania fituese “Link Media Plus”, e cila po vendos detajet e fundit të dekorit.
Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në ndërrimin e motmoteve. Shumë komuna në Kosovë i kanë përfunduar dekorimet. Por, Komuna e Prishtinës ka ngecur në dekorimin e shesheve dhe rrugëve, e madje ato nuk parashihen të përfundojnë as këtë javë.

Qytetarët thonë se ka vonesa dhe dekorimet është dashur të kryhen javë më parë.

Por, ka edhe të atillë që thonë se vonesat për dekorimin e kryeqytetit nuk janë të mëdha, por tani është koha e duhur për stolisje.

Nga 75 mijë euro sa janë ndarë nga buxheti i Komunës për dekorim, kompania, në bazë të kontratës, pritet t’i shpenzojë 54 mijë euro.

Në Komunën e Prishtinës, vonesat për dekorimin e kryeqytetit arsyetohen me vonesën në procesin e tenderimit, por fundi i këtyre vonesave, sipas saj, pritet të jetë 24 dhjetori.

“Vonesa ka qenë për shkak të ankesës në proces të tenderimit. Si rrjedhojë, kontrata është nënshkruar më vonë se që është paraparë. Vlera e kontratës është rreth 54 mijë euro. Sonte ose nesër, pritet të përfundohet i gjithë procesi”, ka thënë Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.
Ndryshe, organizimi kryesor nga komuna e Prishtinës, edhe këtë vit, do të jetë aktiviteti “Prite n’shesh”, ku qytetarët kanë mundësi të presin Vitin e Ri në sheshet e kryeqytetit, ku do të ketë edhe koncert e performanca muzikore.