Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë pritet ta rrisë efikasitetin

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë pritet ta rrisë efikasitetin

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi dhe gjyqtarët mbikëqyrës të Departamenteve të Gjykatës, sot kanë pritur në një takim gjyqtarët dhe stafin administrativ  të komunitetit serb.

Gjyqtarët dhe stafi administrativ u njoftuan në përgjithësi me strukturën organizative  të Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe me rolin e departamenteve brenda gjykatës.

Gjatë takimit është diskutuar për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar gjykata, me numër  të vogël të gjyqtarëve dhe rritje të madhe të numrit të lëndëve të arritura në gjykatë, sidomos në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale dhe Divizioni për Çështje Civile.

Në fund, kryetarja e Gjykatës dhe gjyqtarët mbikëqyrës të Departamenteve të Gjykatës, premtuan se në të ardhmen do të ketë bashkëpunim profesional, përkrahje dhe mbështetje nga ana e tyre, duke shpresuar se me emërimin e tyre gjykata do të rrisë edhe më shumë efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë emëruar 4 gjyqtarë, në degën e kësaj gjykate në Lipjan është emëruar një gjyqtar, kurse degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Graçanicë janë emëruar dy gjyqtarë.

Dekretimi i shtatë gjyqtarëve dhe angazhimi gjashtë zyrtarëve administrativ është paraparë me Marrëveshjen për Drejtësi të arritur në Bruksel në vitin 2015, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Gjyqtarët janë dekretuar më 24 tetor 2107 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi./Insajderi.com