
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ka thënë në një intervistë për televizionin publik, se edhe pas zgjedhjeve çështja e Demarkacionit do të jetë prezente dhe kushdo që zgjedhjet nga populli i Kosovës duhet të merret me të.
“Ka pasur përfundimisht disa mundësi të humbura dhe më vjen keq për to. Sigurisht që Marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi është njëra ndër to. Çështja do të vazhdojë të jetë e pranishme; nuk do të ikë tutje”, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë.
“Më duhet të them sërish se Marrëveshja për shënimin e kufirit e arritur me Malin e Zi ishte marrëveshje e drejtë; pasqyron kufirin aktual ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, shtoi Delawie.
“Isha sigurisht i zhgënjyer kur dëgjoja aq shumë të pavërteta për këtë. I zhgënjyer të shoh aq shumë njerëz duke sakrifikuar të ardhmen e të rinjve kosovarë për përfitime politike”.
“Ka edhe çështje të tjera, sigurisht. Kosova duhet të përparojë më shumë sa i përket liberalizimit të vizave”.