Deliu bën thirrje për unitet politik: Të gjejmë gjuhën e përbashkët

Deliu bën thirrje për unitet politik: Të gjejmë gjuhën e përbashkët

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar përsëri për aktakuzën ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, njofton Insajderi.

Deliu me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Thaçi dhe Veseli kanë treguar shembull, megjithëse sipas saj po përballen me një padrejtësi të madhe.

Tutje Deliu ka thënë se të dy këta ish-krerë të UÇK-së do t’u përgjigjen thashethemeve të cilat kanë qarkulluar ndër vite, për ta dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Mes tjerash deputetja ka bërë thirrje që përfaqësuesit dhe krerët e shtetit në Kosovë të gjejnë kurajon dhe ta menaxhojnë situatën e re të krijuar në vend.

“Padyshim ditët në vazhdim nuk do të jenë të lehta, kurse provokimet do të jenë arma kryesore e atyre që dëshirojnë të nxisin tensione për interesa të veta dhe të tjerëve. Por, ato interesa janë të identifikuara tashmë dhe kushdo që bëhet pjesë e tyre u dihet qëllimi”.