
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, deklaroi të shtunën se kryeministri Albin Kurti “e ka shpallur armiqësore Shtëpinë e Bardhë” duke e kontestuar, siç tha ajo, vlefshmërinë juridike të marrëveshjes së nënshkruar në Washington mes palës kosovare dhe asaj serbe, në praninë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, ajo shkroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja garanci, të cilës populli i Kosovës i beson.
“Përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-të, duke trilluar ‘thika mbi harta’ dhe zhvlerësuar legjitimitetin e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë veprime të rrezikshme që kërkojnë reagimin mbarë shoqëror”, tha Deliu-Kodra.
Reagimi i saj vjen një ditë pasi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, Përparim Kryeziu, deklaroi se “marrëveshja e Washingtonit është jolegjitime”./Insajderi.com