Deliu – Kodra: Nuk e votuam Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike për pazare politike

Deliu – Kodra: Nuk e votuam Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike për pazare politike

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra thotë se votimi i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike nuk ka të bëjë me atë të presidentit, njofton Insajderi.

Ajo në Express Intervistë pwr KTV-nw ka thënë se votimit e pakos ekonomike, PDK-ja nuk e ka bërë për pazare politike.

“Çështja e votimit të projektligjit më së paku mund të quhet çështje e pazareve politike. Ndonëse jemi në opozitë kemi votuar ndarjet buxhetore, marrëveshjet ndërkombëtare dhe në vazhdimësi kemi votuar projektligjet që lidhen me situatën e rënduar sepse pavarësisht çështjes së presidentit, këto çështje si rimëkëmbja dhe situata me pandeminë do duhej të ishin të një rëndësi tjetër në raport me tjerat politike”, tha ajo.

Deliu-Kodra tha se pakoja do të votohej qysh në prill, por sipas saj, qeveria në krye me Avdullah Hotin nuk ka pasur interes për t’u ulur e biseduar me subjektet tjera politike në opozitë dhe marrjen në shqyrtim kërkesat e këtyre të fundit.

“Në rast se do kishte vullnet nga qeveria Hoti, pakoja do votohej që në muajin prill, nëse qeveria nuk do ishte arrogante me partitë në opozitë. Një qeveri që nuk i ka numrat, mundësinë e vetme është të ulet dhe t’i përfshijë kërkesat e partive opozitare dhe të votoj në interes të qytetarëve. Çështja e presidentit është e ndarë, por nuk ka të bëjë asgjë me votimin tonë sot”, ka shtuar ajo.

Deputetja e PDK-së tha se projektligji fillimisht ka qenë i mangët që nuk ka ofruar përkrahje për qytetarët, ndërsa pikat e propozuara nga partia e saj thotë se kanë avancuar që nga prilli për shkak të ndryshimin të gjendjen pandemike.

“Me iniciativat tona për ligjin, kanë qenë që nga prilli. Qeveria nuk ka qenë e zonja të ulet të dakordohet me opozitën, ka menduar se mund t’i votojë e vetme. Kemi konsideruar se një dakordim i yni do ta ndihmojë pakon dhe qytetarët”, shtoi Deliu-Kodra.

Ajo e cilëson këtë hap të qeverisë për futjen e pikave të PDK-së në projektligj, si hapje e syve të qeverisë ndaj situatës me COVID-19.

“Do ta cilësoja si hapje e syve së qeverisë sepse interesi dhe shëndeti publik i qytetarëve ka qenë i rënduar. Qeveria e ka pa se e ka të pamundur që me arrogancë dhe kryeneçësi të veproj. Qeveria ka qenë e vetëdijshme që shtetet në rajon kanë votuar pakon e dytë, madje të tretë dhe duke pa interesin, qeveria është ulur”, tha ajo.

Po të kishim unitet do arrinim që këtë pako ta siguronim në muajin prill, ka theksuar Deliu-Kodra./Insajderi.com