Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Qeveria e Albin Kurtit “ka dështuar” në menaxhimin e pandemisë e në theks të veçantë në sigurimin e vaksinës.
Ajo gjatë një interviste për EO, ka thënë se në Kuvendin e Kosovës do të thërrasin debat parlamentar, pikërisht për çështjen e menaxhimit të pandemisë COVID-19.
“Dështimi me vaksinën që ne e kemi potencuar disa herë dhe Qeveria nuk po është në gjendje që të sigurojë vaksinën”, pohoi ajo.
Përmendi se gjatë javëve të fundit është ulur numri i testimeve, por njëkohësisht është ngritur edhe numri i infeksioneve.
Përpos menaxhimit të pandemisë, Deliu-Kodra, kritikoi Qeverinë edhe për vonimin e ‘planit të qeverisjes’.
“Ne nuk e kemi parë ende dhe kjo Qeveri ka dështuar që të sjellë një program qeverisës përveç një rezyme që e kemi parë në ditën kur është votuar qeveria dhe ne po hymë në muajin e parë të qeverisë Kurti pa program dhe pa ide e vision”, deklaroi deputetja. /Insajderi.com