Anëtari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Frashër Demaj, ka folur për përzgjedhjen e Lumir Abdixhikut, kryetar të kësaj partie, duke thënë se LDK do të kthehet në vend të parë sepse është nisur puna me seriozitet, njofton Insajderi.
Kuvendarët e LDK-së, të dielen në garë për të parin e kësaj partie votuan Abdixhikun.
“Duke qenë që Abdixhiku është ekonomist, e para që duhet të bëjë është menaxhimi i LDK-së, dhe më pas, ai duhet të tregojë lidership. Mbi bazën e faktit dhe qëndrimet e tij të djeshme, jam i bindur që e ka marrë me seriozitet këtë punë”. tha Demaj në “Sytë 7” në Klan Kosova.
Demaj u shpreh se Abdixhiku do ta ndërtojë ekip të mirë, sepse ka synime të qarta dhe sipas tij, me këtë synim “LDK do të rikthehet në ato pozicione ku ka bërë garë gjithmonë për vendin e parë dhe partinë më të madhe”.
Për krytarin e ri tha se nuk do ta ketë të lehtë, sepse ka nevojë për shumë punë.
Ai theksoi se “shumë gojëkëqinj dje janë zhgënjyer sepse kanë pritur që kuvendi zgjedhor i LDK-së nuk do të shkojë mbarë, e do të ketë incidentet, madje iu kanë paraprirë incidenteve, edhe oponentë politike dhe të tjerë që kanë pasur interesa që punët të mos shkojnë mbarë në këtë parti”. /Insajderi.com