"Prej familjes sonë, i vetmi i mirë është ai që është vrarë. Ne të gjithë jemi kriminel. Ky është konkluzioni në këtë proces. Ai (Xhevati v.j) nuk ju ka vy për mu gjyku sepse nuk është në mesin tonë. Le të shkojnë le ta dënojnë në varr sepse vetëm edhe ai nuk është bërë kriminel".
Nexhat Demaku deri tash kryetar i Komunës ka dhënë dorëheqje nga ky post, të martën e 25 tetorit.
Por kjo fare nuk ka rëndësi për të.
Ai së bashku me tre vëllezërit e tjerë, Zeqir, Jahir e Fadil Demaku do të shkojnë në burg, të dënuar sipas gjykatës për torturim e rrahje të disa civilëve në një burg në Likoc të Drenicës. Jo shumë larg, Abrisë, fshatit ku kanë lindur dhe jetojnë vëllezërit e tjerë.
Zeqiri e Jahiri do të vuajnë plot 6 vite burg, ndërsa Fadili, deri tash deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës e Nexhati, kryetar i Drenasit fiks 3 vite.
“As kjo nuk ka rëndësi”, thotë Demaku në një intervistë për Insajderin.
“Familja ime po kriminalizohet”, shton ai. “Po internohet. Kjo është e rëndësishme”.
Historia e familjes Demaku nga Abria e Drenasit është e lidhur në mënyrë ekzistenciale me luftën.
Vëllai tjetër i tij, Xhevati, ka vdekur si ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një betejë të 7 prillit 1999 në Abri.
“Ka vdekur edhe axha dhe djali i tij…”, rrëfen Demaku.
Me zor mbanë lotët, teksa kujton gjithë humbjet e familjes gjatë luftës.
Në luftë i ka vdekur edhe motra dhe vajza e saj 4 vjeçare. Vajza tjetër e ka humbur dorën që sot e ka të amputuar.
“Por të gjitha ia vlejnë”, thotë ai.
“Ka qenë luftë dhe në luftë ndodhin humbje të tilla. Kjo është histori e gati secilës familje në Drenicë e në Kosovë. Luftëtarët vdesin por sfida ka qenë t’i mbrojmë civilët”, shton Demaku.
E Demaku është dënuar pikërisht për shkak të torturimit të civilëve.
“Kjo është krejtësisht e pavertetë”, thotë ai.
Kjo është intervista e Nexhat Demakut, për Insajderin, dhënë disa orë pasi ai dha dorëheqje para objektit të Komunës.
Ai flet për procesin ndaj tij dhe vëllëzërve dhe gjithë historitë e thëna mbi krimet që gjykata thotë se i ka bërë.
Historia e familjes suaj është e lidhur me luftën që ka sjellë humbje gjatë saj dhe dënime me burg pas përfundimit të saj. Lufta duket e pambaruar për ju?
Historia e familjes sonë është histori e shumë familjeve në Drenicë. Por ka tragjedi më të mëdha. Masakrat e tjera sikurse ajo e Delijajt, për shembull. Por fatkeqësisht sot ajo çka është më e papranueshme është mënyra sesi është krijuar opinioni për luftën në Kosovë. Sot të gjitha opinionet, duke u nisur nga kafiteritë e deri tek Qeveria flasin për krimet që ka kryer UÇK-ja. Kur të shikosh se kush është vrarë askush. Në të njëjtën kohë nuk flitet për masakrat e mëdha që i kanë bërë serbët. Masakra e Pokelkut, prej 52 të vrarë diku 23 ndër 18 vjet. Rasti i Shtuticës, Verbocit 320 civil janë të vrarë te Shavarinat që janë ekzekutuar djemtë ka 13-14 vjet. Me opinionin që e kemi krijuar në Kosovë, këto kanë mbetur në plan të dytë, dhe po besoj që gjithçka ka qenë e orkestruar në këtë drejtim dhe ky ka qenë qëllimi.
Nga kush?
Prej qarqeve të caktuara që kanë dashur dhe duan të krijojnë një opinion në Kosovë se këtu vetëm UÇK-ja ka kryer krime. Sot nuk përmendet asnjë krim që serbët e kanë bërë në Kosovë.
Por sot i kemi krerët e UÇK-së në krye të shtetit të cilët do të duhej ta ndalonin këtë opinion për UÇK-në?
Unë mund të them vetëm diçka, në vendimin që është marrë për Grupin Drenica, ne jemi dënuar 10 veta pas pasur asnjë viktimë. Pa pasur asnjë të lënduar. Jemi dënuar 50 vite pas pasur arsye, kjo nuk ndodhë askund. Me një dëshmitar, sot me Kodin Penal të Kosovës pa dy dëshmitarë nuk mund ta dënosh askënd. E ne jemi dënuar në një proces që ka filluar në vitin 2011. Deklaratat e para që janë dhënë për Grupin Drenica janë dhënë në janar të vitit 2011. Deri në 2011 si paska ra ndërmend kurrkujt që UÇK-ja paska bërë krime. UNMIK-u ka qenë këtu me krejt qeta që janë në EULEX. Arsyetimi i vendimit të Gjykatës në asnjë fjali nuk përmendet mbrojtja çfarë ka thënë. Bile është për keqardhje sesi është trajtuar mbrojtja prej gjyqtareve të EULEX-it. Shumë e njëanshme sepse avokatët kanë qenë përjashtues.
A keni tentuar të flisni ju, të tregoni historinë e familjes suaj për të dhënë një anë tjetër të versionit lidhur me akuzat se ju keni torturuar civil në një burg?
Askund në Evropë, përpos kohës së fashizmit dhe komunizmit, nuk ka ndodhur që të internohet një familje. Pra është internuar një familje dhe pjesën tjetër e kanë quar në kamp.
Po thoni se kjo ju ka ndodhur familjes suaj?
As në luftërat e ish-Jugosllavisë nuk ka ndodhur që të internohet një familje e tërë në këtë formë. Rrethanat që i kemi krijuar në Kosovë dhe rrethanat që i ka krijuar EULEX-i në Kosovë, kush kënd të dojë mund ta shti në burg. Kush kundër kujtdo, shkon dhe jep deklaratë, për qëllime të caktuara dhe kurrë nuk verifikohet ajo dëshmi. Këta nuk kanë mekanizma që e vërtetojnë një deklaratë të tillë, këta e marrin dhe nuk ju intereson mandej çka ka ndodhur. Edhe mbi bazën e një deklarate ta ngritë aktakuzën.
Kush i ka dhënë këto deklarata sipas jush?
Askush në veçanti ose në mënyrë specifike. Këto deklarata janë dëshmi që janë përdorur për qëllime politike. Shfrytëzohet gjyqësori për qëllime politike. Si kanë ardhur njerëzit në pushtet, është duke bërë deklarata të tilla e duke dhënë dëshmi të tilla.
Kujt i keni bërë keq, ose i keni penguar politikisht pra?
Askujt. Kurrkujt hiq. Absolutisht. Bile nëse flasim për mua si kryetar unë as shofer nuk kam. Absolutisht nuk ka shtëpi në Drenas që nuk mund të hy. Nuk ka familje me të cilën jam keq. Kemi diskutuar për shumë probleme të komunës dhe më vjen keq që nuk kemi mundur të bëjmë më shumë.
E a ke ndonjë ide se kush ka mundur të japë dëshmi të tilla kundër jush, dhe vëllezërve tuaj?
Nuk dua të paragjykoj. A e din kujt mundem me i pas borxh? Vetëm qytetarëve ata që më kanë besuar votën në kuptimin që nuk kam mundur të bëjë diçka për ta. Por e vërteta do të dalë, dhe jam optimist për këtë.
Por ne po flasim për ngjarje që kanë ndodhur gjatë luftës?
Unë e kam menduar këtë gjë më shumë sesa që e mendojnë disa dhe asnjëherë nuk do ta pranoj këtë vendim. Kurrë nuk e pranoj edhe kurrë nuk e njoh si vendim të drejtë. Nuk lejoj me na kriminalizu si familje. Nuk është problemi me shku me vujtë atë dënim, ky është problemi më i vogël për mua. Por me na kriminalizua si familje nuk kam me leju edhe unë nuk kam me u ndalë. Kam me i shfrytëzuar të gjitha instancat dhe do t’ia arrijë qëllimit që të vi deri tek e vërteta. Ajo për çka akuzona unë është qesharake.
Ju jeni dënuar sepse keni qenë pjesë e atij burgu famëkeq, thotë gjykata?
As që ka qenë përgjegjësi e imja ai burg apo çfarëdo që ka qenë. Unë kam pasur njësitin tjetër në të cilin kam shërbyer. Kam marrë pjesë kryesisht nëpër luftime. Kemi qenë në Brigadën 111. Për këtë arsye jemi dëmtuar më shumë dhe kryesisht bazën ku e kemi pasur në Abri, kazerma, ka shumë xhirime se ku kemi qëndruar ne. Këtu ka qëllime politike në këtë proces, po e përsëris. Mos me qenë kryetar i komunës nuk isha qenë në këtë proces. Jam i sigurt që nuk kisha qenë i akuzuar. A e din pse? Sepse unë kam pasur shumë shokë me të cilët kam qenë në luftë dhe kam ndejt.
Kush janë këta shokë, dhe a janë thirr ata për të dëshmuar?
Asnjë. Nuk ka nevojë sepse luftën e kemi bërë drejtë. Por pse jam thirrë unë? I vetmi prej familjes dhe rrethit që nuk është përmendur është vëllai që është vrarë. Ai është vrarë në vitin 1999. Ndërsa unë akuzohem për vitin 1998. Ai ka qenë gjallë atëherë, vëllai. Edhe ai ka qenë bashkë me neve aty ku kanë qenë krejt të tjerët. Ai është vrarë me 7 prill 1999, ndërsa ne akuzohemi për ngjarjet e verës 1998. Ai nuk përmendet kurrkund në akuzë. Ai ka mundur të përmendet dhe të ceket se është i vrarë. Pra prej familjes sonë, i vetmi i mirë është ai që është vrarë. Ne të gjithë jemi kriminel. Ky është konkluzioni në këtë proces. Ai nuk ju ka vy për mu gjykuar sepse nuk është në mesin tonë. Le të shkojnë le ta dënojnë në varr sepse vetëm edhe ai nuk është bërë kriminel.
Megjithatë ju dhatë dorëheqje pse po shkoni në burg, ndërsa Sami Lushtaku e ka udhëhequr komunën nga burgu?
Vendimi im është personal. Sot edhe prej kryetarit të degës së PDK-së kam dhënë dorëheqje. Edhe unë nuk dua dhe nuk lejoj që një kryetar i dënuar ta udhëheqë Komunën e Drenasit. Është imazh jo i mirë. Qytetarët e Komunës së Drenasit e meritojnë një kryetar të mirë. Unë do të vazhdoj në të gjitha instancat gjyqësore, në Supreme dhe nuk kam me lënë mjet për të ardhur deri tek e vërteta. Unë i bëjë dëm Komunës nëse vazhdoj të rri. Duhet ta dijë opinioni: Nuk mund të kriminalizohet UÇK-ja e as PDK-ja. Është gabim nëse shikojmë ta kriminalizojmë një parti. Kjo është qasje e gabueshme. Është e papranueshme tendenca e rivalëve politik që të kriminalizojnë krejt UCK-në dhe krejt PDK-në.
Por këta rivalët politik gjithashtu të kanë dhënë mbështetje. Prej Haradinajt, Selimit e deri tek Limaj që sot PDK-në e shohin si parti të tillë?
Ata janë miq të familjes sonë. Ata kanë qenë dhe do të mbesin miq sepse në momente të vështira që se kemi pasur idenë, sepse kemi menduar se nuk do të shpëtojmë hiq prej lufte, kemi qenë bashkë. Kanë qenë edhe në varrimin e tre axhës dhe tre djemve të tjerë të familjes. Pavarësisht dallimeve politike janë miq.
A është dashur PDK-ja të bëjë diçka më shumë?
Duhet të reagojmë që të mos me u kriminalizohet UÇK-ja. Këtë s’bënë ta lejojmë ne e as PDK-ja./Insajderi.com