Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, ka deklaruar se subjektet politike duhet të heqin dilemat për mospërkrahjen e kandidaturës së Ramush Haradinajt për president, pasi thotë se nuk kanë kandidat ende, transmeton Insajderi.
Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës e cila ka deklaruar se për president mund të votojë vetëm kandidatin e saj, lë të nënkuptohet se kjo parti mund ta votojë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, pas zgjedhjes së presidentit.
Tutje, Demaliaj është shprehur se PDK nëse nuk dëshiron të përfshihet në qeveri, atëherë për president duhet të prozojë një kandidat konsensual.
“Ne e kemi kandidat për president Haradinajn. Subjektet e tjera politike duhet të heqin dilemat e tyre për mospërkrahjen e Haradinajt sepse nuk kanë kandidat ende. PDK thotë se do votojnë vetëm kandidatin e tyre, por nuk janë deklaruar se a duan t’i bashkohen qeverisë, çka lë të kuptojmë se pas zgjedhjes së presidentit do ta rrëzojnë qeverinë”, deklaroi Demalija në Klan Kosova.
Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i deputetes së PDK-së, Blerta Deliu, e cila tha se zgjedhja e presidentit dhe bashkimi me qeverinë janë procese të ndryshme.
“Ne do mbesim në opozitë. Nuk ka lidhje zgjedhja e presidentit me pjesëmarrrjen tonë në qeveri. Ne do mbesim opozitë sepse kështu ka vendosur qytetari”, deklariu Deliu-Kodra./Insajderi.com