Demaliaj: Pafajësinë për rastin “Veteranët” ua dedikoj bashkëluftëtarëve të UÇK-së

Demaliaj: Pafajësinë për rastin “Veteranët” ua dedikoj bashkëluftëtarëve të UÇK-së

Shkumbin Demaliaj, i akuzuar në rastin “Veteranët”, i cili bashkë me 11 të tjerë u shpallën të martën të pafajshëm nga gjykata, ka thënë se këtë vendim ua dedikon të gjithë bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.

Para medieve, ai është shprehur se ka qenë i bindur që nga fillimi se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.

“Këtë pafajësi time ia dedikoj të gjithë bashkëluftëtarëve të mi që kanë qenë pjesë e këtyre listave, që nga prokuroria dhe shumë njerëz pa njohur procesin mirë kemi qenë të kryqëzuar. Prokuroria s’ka qenë profesionale në këtë drejtim”, tha Demaliaj, i cili ka qenë edhe deputet i Kuvendit nga radhët e AAK-së.

Ndërsa, avokati i tij, Arinait Koci, tha se me këtë vendim u korrigjua një padrejtësi e madhe.

Të akuzuar në këtë rast ishin: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Të gjithë këta ishin anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Insajderi.com