Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbim Demaliaj, ka thënë se ai nuk jep votë për dikë tjetër pos Ramush Haradinajt, njofton Insajderi.
“Edhe nëse Aleanca ndryshon qëndrim në lidhje me kandidaturën e zotit Haradinaj për president, unë nuk votoj dikë tjetër pos Haradinajt”, deklaroi Demaliaj në “Debat Plus”.
Ai shkoi edhe më larg duke thënë se nuk qëndron as në sallë nëse emri i Ramush Haradinajt nuk është në listën e kandidatëve për president.
Deputeti i AAK-së thotë se subjektet tjera vetëm janë duke qëndruar në vend.
“Jemi në muajin e tretë kur AAK ka propozuar zotin Haradinaj për President, ndërsa subjektet tjera nuk kanë ofruar asnjë kandidatë e as nuk kanë ofruar ndonjë kandidatë konsensual”.
Demaliaj thotë se edhe deklarata e Isa Mustafës se posti i presidentit i takon PDK-së ka qenë shumë e hershme pasi sipas tij ai nuk ka diskutuar me partnerët e koalicionit qeverisës për këtë çështje./Insajderi.com