Agron Demi nga instituti GAP, ka reaguar pas publikimit të një fotografie ku shihet figura e kryeministrit Albin Kurti në një poster të vendosur në rrugë, përmes së cilit bëhet thirrje që kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, të votohet për kryetar të Komunës së Prizrenit.
Por, bashkë me Kurtin në fotografi është edhe Haskuka, ndonëse në media ka qarkulluar fotografia e prerë, duke akuzuar u akuzuar LVV-ja se po tenton të manipulojë qytetarët.
Kjo gjë ka ngjallur reagimin e Demit, i cili në Facebook ka shkruar se “kur gazetarët e drejtuesit e mediave shndërrohen në manipulues të realitetit, atëherë ata nuk kanë lidhje me mediat, por i ngjajnë më shumë ‘teknologëve politik’”.
“Dje tërë ditën disa portale e drejtues mediash e kanë shpërnda këtë imazh në anën e majtë, ku shihet vetëm fotografia e kryeministrit e emri i kryetarit të Komunës së Prizrenit. Dhe mu duk një budallallëk”.
“Por mbrëmë vonë e kuptova që këta spin doktorët e kanë bërë ‘cut’ foton, ngase në poster është edhe fotografia e kryetarit Haskukaj”, ka shkruar ai.
Ndërsa, ka bërë dhe një shpjegim për termin “teknologë politikë”.
“Janë persona që paguhen për të krijuar një realitet të rremë. Ky term është popullarizuar prej Peter Pomerantsev me librin e tij ‘Nothing is True and Everything is Possible’, ku i përshkruan spin doktorat e regjimit të Putinit. Teknologët politikë kanë për qellim që të fshehin realitetin dhe të prezantojnë një realitet tjetër, të rremë”, ka shtuar Demi.
E sipas tij, “kjo nuk i bën nder askujt, më së paku mediave”./Insajderi.com