Demi: Qeveria e Kosovës ndër më të paaftat për të reaguar ndaj krizës ekonomike

Demi: Qeveria e Kosovës ndër më të paaftat për të reaguar ndaj krizës ekonomike

Drejtuesi i Institutit GAP, Agron Demi, ka thënë se Qeveria e Kosovës është treguar ndër më të paaftat për të reaguar ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në emisionin “DESKU” të KTV-së, derisa shtoi se të dyja pakot janë zvarritur për një kohë shumë të gjatë, gjë që ka ndikuar shume të bizneset, pasi që pakoja e parë u quajt emergjente ka qenë për muajt prill dhe maj dhe ende nuk janë bërë të gjitha transferet e nevojshme për ata dy muaj.

“Buxheti i shtetit u aprovua pak javë më parë para se të merreshin masat e para ndaj pandemisë andaj nuk ishte linja buxhetore në buxhetin e vitit 2020 për me u adresuar sfidat kryesore të ekonomisë. Buxheti atëherë kaloi pa probleme për shkak se dy partitë kishin shumicën e mjaftueshme në Kuvend. Me qarjen ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes u bë e pamundur që të aprovoheshin pakot ekonomike, qoftë ajo e para me 15 masa, apo ajo e dyta e Qeverisë Hoti e cila u quajt Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike”, ka thënë Demi.

“Ne jemi gati në fund të muajit tetor dhe ende ka biznese dhe punëtorë që u janë premtuar shtesat prej 170 euro dhe ende nuk i kanë marrë të gjitha. Qeveria e Kosovës ka qenë një ndër më të paaftat apo më të ngadaltat për të reaguar ndaj krizës ekonomike”, ka shtuar ai.

Sipas tij përplasjet politike ndikuan që ndryshimet buxhetore të zvarriten, pakoja e re e rimëkëmbjes të zvarritet dhe tash është bërë thuajse shou serik mos aprovimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike. /Insajderi.com