Demi: S’ka asnjë arsye logjike për shtyrjen e zgjedhjeve

Demi: S’ka asnjë arsye logjike për shtyrjen e zgjedhjeve

Agron Demi nga instituti GAP, thotë se nuk ka asnjë arsye logjike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë që pritet të mbahen më 17 tetor.

Sipas tij, anulimi i fushatës zgjedhore me prezencë fizike dhe respektimi i masave mbrojtëse në ditën e zgjedhjeve është i vetmi opsion.

Ndër të tjera, shton se në kohën kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, në vend kanë qenë mbi 64 mijë raste aktive me Coronavirus, ndërsa tani janë mbi 18 mijë të tilla.

“Kur insistohej me u mbajtë zgjedhjet më 14 shkurt, kanë qenë mbi 64 mijë raste pozitive me virus e ZERO vaksina. Sot, kur po kërkohet shtyerja e zgjedhjeve janë 18 mijë raste aktive me virus e janë administru mbi një MILION vaksina”.

“Kur më 14 shkurt kërkohej me të drejtë mbajtja e zgjedhjeve kritika ndaj pushtetit ishte se nuk po e menaxhon mirë pandeminë. Tash kur po kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, partia në pushtet po mburret se si e ka menaxhu mirë pandeminë dhe se kemi shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon. Atëherë pse me u shty zgjedhjet?!”, shkruan Demi në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa, pyet partinë e cila është në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, se pse ishte partia e vetme e cila është deklaruar për shkurtim apo anulim të fushatës, por është pro shtyrjes së zgjedhjeve.

“Nëse gjatë gjithë verës IKShPK ja ka huq me rekomandime, ashtu qysh tërthirazi tha dje Kryeministri, përse nuk po ja huq edhe rekomandimit për shtyerjen e zgjedhjeve?!”.

Për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19 në vend, ditë më parë kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen. Kundër kësaj ideje kanë dalë partitë opozitare të cilat kanë thënë se janë pro shkurtimit të fushatës, por jo edhe shtyrjes së zgjedhjeve. Sipas tyre, VV-ja po i “frikësohet rezultatit” ndaj po kërkon të shtyhen zgjedhjet.

Një vendim zyrtar akoma s’është marrë, por të shtunën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar presidentes Vjosa Osmani, shtyrjen e zgjedhjeve./Insajderi.com