Rasim Demiri, përfaqësues i koalicionit VAKAT, ka thënë se kjo parti nuk do ta pengojë formimin e institucioneve, përcjell Insajderi.
Demiri pas takimit që ka zhvilluar të martën në Kuvendin e Kosovës me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani si dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur se njëra ndër kërkesat e tyre ka qenë dhe është që të formohen komunat boshnjake në Kosovë, por që ky nuk është kusht për të votuar Qeverinë Kurti 2.
“Nuk kemi folur diçka konkrete për pozitat. S’kemi folur konkretisht për vota, por për programin. Në çdo qeveri ka qenë programi për komunitetin boshnjak dhe tash për hapat tjera për votimin, sepse në javën e ardhshme po presim që të kemi formimin e institucioneve. Njëherë të marrim vendim ne dhe do të dalim me informata”, ka thënë ai.
Më tutje ai ka shtuar se kanë edhe një takim ku pritet të vendosin se çfarë do të bëj ky subjekt politik, lidhur me dhënien e votës për formimin e qeverisë.
“Ne kemi edhe një takim. Tash nuk e dimë se çfarë do të ndodh, por ne nuk kemi paraqitur pengesa për formimin e institucioneve”, ka thënë më tutje ai.
Demiri u shpreh se ata gjithmonë i kanë mbështetur institucionet e Kosovës dhe edhe kësaj here beson se do të veprojnë njëjtë./Insajderi.com