Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se demokracia në Kosovë vazhdon të jetë në një shkallë jo të duhur, me gjithë përpjekjet dhe vullnetin që ajo të zhvillohet sa më shumë.
Të paktën kështu thotë ish-kryeministri, Bajram Kosumi, sipas së cilit, ajo që më së shumti është duke vështirësuar zhvillimin e demokracisë, është papërgjegjësia.
“Institucionet e Kosovës, gati se janë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha strukturat nuk janë llogaridhënëse sa duhet. Mungon sistemi i kontrollit dhe kjo mund të jetë për shumë arsye. Kosova si shtet ka problem me njohjet, ende ka probleme me procesin e integrimeve evropiane ose sistemi i drejtësisë është shumë i brishtë”, tha Kosumi për REL.
Analistja e lartë e politikave në organizatën Demokraci Plus, Albana Rexha, thotë se janë tre faktorë që kanë kontribuuar në rënie të demokracisë në Kosovë.
Ndryshimi i tri qeverive brenda një viti, frikësimi dhe kërcënimet e shumta nga Beogradi ndaj qytetarëve serbë si dhe sulme verbale dhe fizike ndaj gazetarëve, sipas Rexhës, janë ndër faktorët që kanë ndikuar në rënien e nivelit të demokracisë në Kosovë.
“Vlerësoj se ndryshimi i tri qeverive brenda një viti, konkretisht formimi i Qeverisë Hoti me një votë më shumë, votë kjo e dhënë nga një deputet me rekord kriminal, si pasojë e së cilës kjo qeveri edhe u shpall anti-kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se është faktori kryesor për vlerësimin e bërë nga Freedom House, do të thotë një rënie të demokracisë në vendin tonë”, tha Rexha.
Në raportin e sivjetshëm të organizatës ndërkombëtare Freedom House, të titulluar “Kombet në Tranzicion 2021”, aty ku flitet edhe për Kosovën, thuhet se për herë të parë pas pesë vjetëve, Kosova ka shënuar kthim mbrapa në demokratizim, raporton REL. /Insajderi.com