Demolli: Flitej edhe për “batalion serb’ brenda ushtrisë në këmbim të votës

Demolli: Flitej edhe për “batalion serb’ brenda ushtrisë në këmbim të votës

Ministri në detyrë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka thënë se Lista Serbe ka pasur katër kërkesa kryesore për votimin e transformimit të FSK-së në ushtri.

Por ai ka kundërshtuar kategorikisht ekzistimin e mundësisë për një ‘batalion serb’ brenda këtij mekanizmi, duke nënvizuar se qoftë edhe diskutimin për të e ka kushtëzuar me dorëheqjen e tij.

“Ne kemi biseduar me ministrat serbë që të kemi votën e tyre. Në takimin e parë ata kanë pasur katër kërkesa, ndër të cilat që të ketë më shumë pjesëtarë të komunitetit serb, si dhe që ligji të kthehet në ligj vital. Por ne nuk kemi qenë të gatshëm për këtë gjë”, ka thënë ministri Demolli.

“Ata po ashtu kanë kërkuar që zëvendëskomisionari të jetë nga radhët e komunitetit serb”, ka shtuar ai.

Madje Demolli ka thënë të jetë përmendur ideja e një ‘batalioni serb’ brenda ushtrisë, për të cilin ka thënë se nuk do ta pranonte as të diskutohej.

“‘Batalionin serb’ e kam dëgjuar si term në media, por unë ua kam thënë të gjithëve që nëse një gjë e tillë ndodh unë nuk do të jem më ministër. Po ashtu nuk kam pranuar që zëvendëskomandanti të jetë me automatizëm i komunitetit serb”, ka thënë Demolli në “Magazinën zgjedhore” në Klan Kosova.