Dëmtohet kanali i Qokolicës në qendër të Pejës

Dëmtohet kanali i Qokolicës në qendër të Pejës

As 100 metra larg zyrave të Drejtorisë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, para një muaji është shfaqur një hapje e madhe në pjesën e kanalit të Qokolicës ku kalon nën tokë, në afërsi të Parkut të Dëshmorëve, në qendër të qytetit.

Në atë pjesë para hyrjes në korzo të qytetit, mes ndërtesës së Komunës, Postes dhe hotelit është ndërtuar sheshi i ri me një projekt publiko-privat. Punimet janë kryer nga operatori i kontraktuar nga Komuna për mirëmbajtje verore të rrugëve “Lika Trade”.

“Para hotelit është shembur kanali? Unë nuk e kam parë atë vrimë aty. Tash po e dërgoj dikë që të shikon se çka qenka puna aty”, thotë Muhamet Mahmutaj, drejtor për Punë Komunale dhe Shërbime Publike. Pronari i operatorit që ka kryer punimet në ndërtimin e sheshit, Sali Lika, pohon se kanali në atë pjesë nuk është thyer nga punimet porse, sipas tij, është duke u pastruar.

“Ne kemi tentuar me mbyll por janë duke e pastruar gradualisht. Çdo dy ditë po heqin nga një kamion mbeturina nga kanali i Qokolicës. Pastrimin e kanalit më duket është duke e bërë Komuna. Kompania jonë nuk është duke e bërë”, thotë Lika.