Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se Ura e Gurit e cila është ndërtuar në kohën e Perandorisë Romakë, i janë rrëzuar 36 blloqe gurësh.
Sipas deklaratës lëshuar për media nga Komuna e Vushtrrisë, blloqet e gurëve janë rrëzuar sot në orën tre pas mesnate.
“Mbrëmë rreth orës 3 pas mesnate, nga pjesa e epërme anësore e urës, për të cilën historia thotë se është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake, së bashku me bazën janë rrëzuar 36 blloqe të gurëve”,shkruan në njoftimin e komunës.
Në vendin e ngjarjes sipas komunës, kanë dalë policia për të bërë hetimet rreth rrëzimit të blloqeve të “Urës së Vjetër të Gurit”, ndërsa janë njoftuar edhe institucionet lokale dhe qendrore.
Për rrëzimin e këtyre blloqeve, Komunën e Vushtrrisë e kanë njoftuar pronarët e restorantit “Ura e Vjetër e Gurit”.
Ura e vjetër e Gurit, është nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës, si objekt i lashtë i trashëgimisë kulturore, e cila konsiderohet se është ndërtuar në shekullin e XIV. /Insajderi.com