Dënim i përjetshëm për burrin që vrau gruan me 14 plumba në Prizren

Dënim i përjetshëm për burrin që vrau gruan me 14 plumba në Prizren

Bajram Velija – i akuzuari për vrasjen e gruas së tij me 14 plumba, Armenda Aliu Velija, është dënuar me burgim të përjetshëm, njofton Insajderi.com.

Kështu ka bërë të ditur avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ai në këtë njoftim, gjithashtu tha se tash e tutje, vrasjet e grave do të dënohen maksimalisht.

“Vrasësi i gruas së vet, Armenda Aliu Velija, u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata, ashtu si e kam propozuar në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, e ka dërguar porosinë në shoqërinë tanë: tash e tutje, vrasjet e grave do të dënohen maksimalisht”, ka shkruar Koci.

Bajram Velija, bashkëshorti i të ndjerës, ishte i dyshuari i vetëm për këtë vrasje, e sipas dyshimeve të Prokurorisë deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të dyshuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

I akuzuari është ngarkuar nga prokuroria për dy vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”.

Ai madje në një seancë gjyqësore kishte pranuar se e ka vrarë gruan, por se tha që “momenti i vrasjes nuk kishte të bënte me dashje”. /Insajderi.com