“Dënim më të madh për Tasiqin që të flasë për të dyshuarit e tjerë, jo ta privilegjojnë duke ja përgjysmuar atë”

“Dënim më të madh për Tasiqin që të flasë për të dyshuarit e tjerë, jo ta privilegjojnë duke ja përgjysmuar atë”

Drejtoresha e Kooperativës bujqësore ‘Krusha’, Fahrije Hoti, e cila është një nga gratë që e preokupton fati i të pagjeturve, e quan të padrejtë konform ligjit, vendimin e Gjykatës së Apelit për përgjysmimin e dënimit të Darko Tasiqit, i cili akuzohet për krime të luftës në Kosovë.

Tasiq kishte qenë i dënuar me 24 vite burgim, ndërsa me vendimin e fundit, ai është dënuar me 11 vjet burg, ku Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit Darko Tasiq, Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 22.06.2020, është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënim.

Fahrije Hoti, bashkëshortit të së cilës ende nuk i dihet fati i tij që nga lufta, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi thotë se ka pritur një dënim më të madh në mënyrë që Tasiq të flasë edhe për të dyshuarit e tjerë, dhe jo ta privilegjojnë atë duke ja përgjysmuar dënimin.

“Por, jemi këtu ku jemi që drejtësia asnjëherë nuk ka triumfuar, kanë kaluar 22 vjet prej kur ka ndodhur masakra në Krushë të Madhe dhe me të vërtetë jemi të zhgënjyer”, ka thënë tutje ajo.

Sipas saj, dënimi ndaj të akuzuarit do të duhet të ishte i përjetshëm.

“Të ia vrajë babën, ta zhdukë duke e gjuajtur në lumin Drin dhe të ia lëmojë supet e kriminelit, veç Kosova e bën këtë, por ne si familjarë e dënojmë jo me 22 vjet por është dashur që Gjykata e Apelit të marrë vendim për burgim të përjetshëm”, shprehet tutje Hoti.

Hoti thotë se me këtë vendim shihet qartë se sistemi i drejtësisë po tregon amnisti ndaj kriminelëve serbë.

“Me plot përgjegjësi kjo që Gjykata e Apelit ka vendosur për Darko Tasiqin, absolutisht nuk e ka marrë një vendim të drejtë konform ligjit. Ai ka qenë kriminel së bashku me familjarët e vet, që ka ekzekutuar, ka shfarosë, ka vjedhë, ka dëbuar gra, fëmijë, i ka gjuajtur kufomat në Dri, unë nuk po mundem të besoj që një kriminel i atillë të dënohet me 11 vjet burg, ky është turpi më i madh i Apelit dhe i institucioneve tona”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse pritet që të organizohen protesta në shenjë revolte për këtë vendim të marrë nga Apeli, Hoti thotë se nuk e kanë përkrahjen institucionale, meqë gjatë protestave sipas saj, policia po përdorë gazlotsjellës dhe në këtë mënyrë janë “në një rrugë qorre” dhe nuk kanë ku të trokasin.

“Unë personalisht nuk jam takuar me Këshillin e fshatit Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, por do ta diskutojmë dhe ndoshta edhe do të protestonim, por nuk e kemi përkrahjen institucionale, meqë policia po përdorë gazlotsjellës, po të ishte përkrahja institucionale të gjitha ato nëna të cilave iu janë vrarë fëmijët dhe ato gra të cilave iu janë vrarë burrat dhe ata fëmijë që u janë vrarë prindërit, sot asnjëri nuk do të heshte, por jemi në rrugë qorre dhe nuk kemi ku të trokasim”, ka thënë ajo.

Në qershor të këtij viti, kur Gjykata Themelore në Prizren caktoi masë burgimi prej 22 vitesh për të akuzuarin, Hoti tha se atë ditë banorët e Krushës së Madhe dhe asaj të Vogël janë vrarë për së dyti herë pas 21 vitesh.

Gjykata e Apelit dje ka bërë të ditur që gjeti se në veprimet e të akuzuarit të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3  Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj. I akuzuari, është dënuar nga Gjykata e Apelit me 11 vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. /Insajderi.com