Shteti tregon fuqinë ndaj bashkëpunëtorëve të Shtetit Islamik

Shteti tregon fuqinë ndaj bashkëpunëtorëve të Shtetit Islamik

Zotimi i autoriteteve në vitin 2014 se Kosova nuk do të bëhej vatër e terrorizmit ka rezultuar me dhjetëra të arrestuar e dënuar.  Vetëm brenda 10 ditëve të fundit, janë ngritur aktakuza ndaj pesë personave ndërsa dy kosovarë u dënuan me gjithsej 25 vjet burgim për terrorizëm.

Në mars të vitit 2014, një burrë nga Ferizaj, Blerim Heta, ishte bëri lajm kryesor në Kosovë dhe në botë. Ai kreu një sulm vetëvrasës në Bagdad të Irakut, ku si pasojë mbetën të vrarë mbi 50 persona.

Derisa Heta ka vdekur dhe nuk ka dalë asnjëherë para drejtësisë për këtë vepër, një gjykatë në Ferizaj dënoi të premten me pesë vjet burgim një burrë tjetër, Musa Ademin, i cili në muajin gusht të viti 2013 i kishte blerë biletën Hetës që të niset nga Prishtina për në Stamboll, e prej ku i është bashkuar organizatës terroristë, Shteti islamik.

Ademi, pjesë e Lëvizjes Islame Bashkohu (LISBA) të Fuad Ramiqit –  i cili po ashtu akuzohet nga shteti i Kosovës – ka bërë propagandë intensive dhe ka siguruar fonde për të mundësuar kosovarëve t’i bashkohen ISIS-it.

Dhe, vetëm pak muaj pas aktit të Hetës në Irak,  Policia e Kosovës bëri arrestimin e 40 personave të dyshuar për terrorizëm, duke shfaqur alarmin që ishte ngritur në vend.

Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit, një organizatë në Londër, vlerësonte se janë rreth 300 shqiptarë, shumica prej të cilëve nga Kosova, që i ishin bashkuar organizatave terroriste ISIS dhe Al-Nusra.

Në ato rrethana, autoritet shtetërore u zotuan se Kosova assesi nuk do të lejohej të bëhej vatër e terrorizmit, ndërsa që nga ajo kohë dhjetëra persona janë akuzuar e dënuar për terrorizëm.

“Ne nuk do të lejojmë që vendi të bëhet burim i akteve kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin,” kishte thënë ish-presidentja Atifete Jahajga.

Në këtë kontekst, Gjykata Themelore në Ferizaj, në maj të këtij viti po ashtu dënoi shtatë persona për akuza të terrorizmit. Një nga ta ka qenë Zeqirja Qazimi, imam nga Gjilani,që u dënua me 10 vjet burgim.

Në vitin 2016, ka pasur edhe verdikte të tjera të gjykatave në të gjitha rajonet e Kosovës. Si shembull, Gjykata Themelore në Prishtinë, në prill dënoi me burgim 11 të akuzuar,  në janar dënoi dy persona, ndërsa në muajin mars tre të tjerë.

Brenda 10 ditëve, dy të dënuar e pesë të akuzuar për terrorizëm

Brenda 10 ditëve të fundit, dy kosovarë janë dënuar e pesë të tjerë u akuzuan për terrorizëm.

Të premten, përveç dënimit të Ademit, një kosovar tjetër u dënua me 20 vite burgim për shërbimin e tij ndaj Shtetit Islamik.

Një gjykatë amerikane e dënoi Ardit Ferizin pasi që ai i kishte ndihmuar grupit terrorist ISIS duke iu siguruar emrat e më shumë se një mijë punëtorëve të qeverisë dhe ushtarëve amerikanë si objektiva të mundshëm.

Ai u bë personi i parë në Amerikë që u dënua për të dyja akuzat – hakim të kompjuterëve dhe për terrorizëm.

Ndërsa javën e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, disa prej të cilave hoxhallarë e imamë, të cilët dyshohen për terrorizëm.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Bedri Robaj, imam në një xhami të improvizuar në Prishtinë, dhe Idriz Bilibani, hoxhë i komunitetit boshnjak dhe administrator i një portali,  sipas prokurorisë, me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale shtytja për kryerjen e veprave terroriste,  Ndërsa të pandehurit Enes Goga, kryeimam në Pejë dhe Mazllam Mazllami, imam në Prizren, po ashtu sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, kombëtar, racor, fetar apo etnik.

I akuzuari tjetër, drejtuesi i LISBA-s, Fuad Ramiqi, akuzohet se ka kryer veprën penale “thirrje për rezistencë.

Ndaj tij, në vitin 2014, kishin nisur hetime për shkak të disa deklaratave që kishte pas arrestimeve të një numri të hoxhallërëve dhe personave të tjerë të dyshuar për terrorizëm.  Atë kohë, Ramiqi në “paraqitjet e tij publike ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë, në atë mënyrë që ka deklaruar se… “nuk do të rrinë duarkryq përballë terrorit” sipas tij që “po shtrojnë institucionet kundër myslimanëve në Kosovë” pretendon prokuroria.

Parandalohet shkuarja e kosovarëve në vatrat e luftërave

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë muajit gusht ka zhvilluar takime nëpër rajone të ndryshme të vendit.  Thuajse në të gjitha këto takime ministri Hyseni ka shfrytëzuar rastin që të tregojë se në 11 muajt e fundit, asnjë kosovarë nuk i është bashkuar luftërave që zhvillohen në Siri e Irak.

Sipas tij, parandalimi i shkuarjes së kosovarëve në vatra të luftës është bërë falë bashkëpunimit që kemi bërë bashkërisht edhe ju anëtarët e këshillave të sigurisë dhe miratimin të ligjit kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja.

Por, përkundër kësaj, një numër qytetarësh nga Kosova po vazhdojnë të jenë në vatra të luftës.

Sipas të dhënave zyrtare, janë 73 kosovarë që ndodhen në Siri e Irak, prej të cilave një numër i konsiderueshëm janë gra e fëmijë.

Derisa autoritetet vazhdojnë të mburren me punën që sipas tyre është bërë në këtë drejtim, jo rrallë të akuzuarit kanë thënë se e gjitha kjo është bërë për motive politike.

Fuad Ramiqi, në një bisedë me Insajderin, ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka asnjë bazë për të akuzuar atë.

“Nuk ka asgjë të bazuar në këtë çështje, që është kryekëput politike,” ka thënë Ramiqi, duke shtuar se nuk ka pranuar ende një njoftim zyrtar nga Prokuroria.

Ekspertët e sigurisë kanë tërhequr vëmendjen se shteti duhet të bëjë më shumë në parandalimin e këtij fenomeni duke shtuar po  ashtu se duhet kushtuar rëndësi të vecantë personave të kthyer nga Siria e Iraku. /Insajderi.com