Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha, të adresojë përgjegjësinë disiplinore lidhur me dënimin me rastin e dhunimit të një 15-vjeçarje, dhunuesi i së cilës u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burg.
“Lidhur me rastin e publikuar nëpër portalet e ndryshme të lajmeve për dënimin e të akuzuarit për veprën penale Dhunimi, e që pretendohet se ka pas shkelje ligjore, Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Më tej, bëhet e ditur se Kryetari i Gjykatës Supreme është zotuar se çdo rast i dyshimtë, pa përjashtim, nga bartësit e funksioneve gjyqësore, do të trajtohet në mënyrë efikase dhe të drejtë”./ Insajderi.com