Dënohet me 15 vjet burg burri që rrahu gruan e tij për vdekje

Dënohet me 15 vjet burg burri që rrahu gruan e tij për vdekje

Gjykata Themelore ne Prizren e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin me inicialet I.H., pasi i njëjti e ka rrahur fizikisht duke e hedhur për asfalti gruan e tij, e cila si pasojë e plagëve të marra ka vdekur në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, njofton Insajderi.

Siç njofton gjykata, ngjarja ka ndodhur më 31 maj të vitit 2019, ndërsa e ndjera ka vdekur më 15 qershor të po atij viti.

“I ka shkaktuar  lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që ka rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe me vdekjen e personit tjetër, në atë mënyrë që me dt. 31.05.2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, i ‘a kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e ekspertizës mjekoligjore, nga të cilat lëndime më vonë e ndjera vdes në QKUK në Prishtinë me datë 15.06.2019”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Insajderi.com