Dënohet djali i ish-deputetit shqiptar që i shkaktoi vdekjen policit

Dënohet djali i ish-deputetit shqiptar që i shkaktoi vdekjen policit

Djali i ish-deputetit të PS-së, Ndue Kola, Arnold Kola që aksidentoi vitin e kaluar për vdekje një oficer policie në bulevardin e Kamzës, është dënuar me dy vjet burg.

Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor Arnoldin për kryerjen e veprës penale “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe e ka dënuar atë me 2 vjet e 6 muaj burg.

Po ashtu, 23-vjeçari është gjetur fajtor edhe për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, duke u dënuar për këtë vepër me 1 vit burg. Në bashkim të dënimeve, Kola u dënua përfundimisht me dy vjet burg, për shkak se ai është gjykuar me gjykim të shkurtuar.

Vendimi i gjykatës është dhënë më 19 korrik 2017. Por, ky vendim nuk është pranuar nga i pandehuri Arnold Kola, i cili e ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë, shkruan Shekulli

Ngjarja

Ngjarja për të cilën ai akuzohet, ka ndodhur më datë 25 shtator 2016. Kola levizte me nje automjet tip “Lexus” në bulevardin në Kamëz me drejtim lëvizje “Kamëz-Institut”, me shpejtësi tej normave të lejuara.

Kur mjeti është afruar përpara shkollës së mesme Kamëz, përpara tij po qarkullonte një automjet tjetër në të njëjtën korsi dhe në të njëjtin drejtim dhe për të parakaluar këtë automjet për shkak të shpejtësisë që kishte, i pandehuri ka tentuar që këtë parakalim ta bënte në krahun e djathtë të lëvizjes së tij.

Aty  ka qenë e planizuar një patrullë policie, ku pjese ishin oficerët e policisë Ervin Haxhia, Besmir Voji dhe Ismail Hoxha.

Si pasojë e shpejtësisë si edhe në kushtet e përdorimit të alkoolit, Arnold Kola ka përplasur në pjesën e pasme automjetin e Policisë, ku nga kjo përplasje automjeti i të pandehurit është rrotulluar në 180 gradë, duke përplasur më pas një makinë tjetër të parkuar.

Pas përplasjes automjeti i Arnold Kolës është përplasur edhe me trafikndarësin duke u përmbysur dhe zhvendosur për 40 metra nga vendi i ngjarjes. Per pasoje gjeti vdekjen efektivit Ervin Haxhia.

Nga ana e drejtuesit të mjetit të Policisë nuk janë konstatuar shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.