Dënohet i akuzuari që për 10 vjet punoi si polic duke shfrytëzuar dokumentet e vëllait binjak

Dënohet i akuzuari që për 10 vjet punoi si polic duke shfrytëzuar dokumentet e vëllait binjak

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 600 euro gjobë, të akuzuarin për mashtrim, Bujar Rexhaj.

Dënimi me burgim, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet, nëse në periudhë verifikimi prej dy vjetësh nuk kryen vepra tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arben Mustafaj tha se i pandehuri po ashtu obligohet në shpenzimet procedural në shumën prej 70 euro.

Sipas aktgjykimit të shpallur, të pandehurit po ashtu i shqiptohet dënim plotësues, dhe atë ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën, nga gjykatësi Arben Mustafaj, pasi i akuzuari Rexhaj pas konsultimit me mbrojtësin e tij, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të mashtrimit.

“Është hera e parë që bie ndesh me ligjin, jam penduar për rastin dhe shprehi keqardhje të thellë për rastin”, ka thënë i pandehuri Rexhaj.

Ndërkaq, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Gëzim Baloku ka kërkuar nga gjykata që pranimin e fajësisë së klientit të tij ta aprovojë në tërësi, duke kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënim, pranimin e fajësisë të pandehurit t’i merret rrethanë lehtësuese.

Nga ana tjetër, prokurori Arben Hoti ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të dënohet sipas ligjit, dhe t’i shqiptohet dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

“Po ashtu kërkoj nga gjykata që të pandehurin ta obligojë në përmbushjen e shpenzimeve procedurale, ndërsa lidhur me shumen e dëmit të shkaktuar për këtë, të dëmtuarën ta udhëzoi në kontest civil”, ka thënë prokurori Hoti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë më 26 mars 2019, duke e ngarkuar të pandehurin Rexhaj, me veprën penale të mashtrimit.

Në aktakuzë thuhet, se i pandehuri që nga fundi i vitit 2004, e deri më 8 maj 2014, fillimisht në shkollën e shërbimit policor në Vushtrri, duke vazhduar në stacionin policor në Istog, në vazhdimësi me anë të paraqitjes së fakteve të rrejshme, e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka mashtruar dhe mbajtur në lajthim punëdhënësin e tij, respektivisht Policinë e Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bujar Rexhaj, së bashku me vëllain e tij binjak, Burim Rexhaj, në fund të vitit 2004, fillimisht aplikojnë në konkursin publik, për pozitën e zyrtarit të sigurimit në Policinë e Kosovës, e ku në fund të procedurës së konkurrimit arrin që të pranohet vetëm Burim Rexhaj.

Tutje, sipas aktakuzës, me rastin e paraqitjes para organit kompetent për të nënshkruar kontratën, dhe për të filluar procedurën e trajnimit, aty është paraqitur i pandehuri Bujar Rexhaj, i cili duke e shfrytëzuar ngjashmërinë me vëllain e tij binjak Burimin, si dhe duke e shfrytëzuar dokumentacionin personal të tij, paraqitet para organit kompetent, me ç’rast nënshkruan kontratën, ku edhe i krijohet kartela identifikuese zyrtare me fotografi dhe numër të tij, por me emër të vëllait të tij, Burimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga aty i pandehuri fillon punën si zyrtar i sigurimit në Policinë e Kosovës gjerë në vitin 2012, ku të njëjtit i jepet mundësia që të kalojë si zyrtar policor, ashtu që këtë funksion e ushtron deri më 8 maj 2014, kur edhe ka dhënë dorëheqje.