Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është dënuar me katër mijë euro gjobë për rastin ku ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Pejë për konflikt interesi, transmeton Insajderi.
Siç raporton “Betimi për Drejtësi”, ndaj Elezajt është shqiptuar edhe dënimi plotësues edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej dy vitesh.
Nëse i pandehuri nuk e paguan gjobën atëherë të njëjtit do t’i zëvendësohet me dënim me burgim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.
Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë. /Insajderi.com