Dënohet me 1 vit e 8 muaj burgim efektiv i akuzuari për plagosjen e nipit të Ramush Haradinaj

Dënohet me 1 vit e 8 muaj burgim efektiv i akuzuari për plagosjen e nipit të Ramush Haradinaj

Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim me burgim efektiv ndaj të pandehurit Fisnik Lajqi për veprën penale të tentim vrasjes, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i pandehuri Lajqi për tentim vrasje u gjykua me 15 muaj burgim, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 10 muaj burgim, dhe 800 euro gjobë për armëmbajtje paleje.

Duke zbatuar dispozitat e dënimit unik, ndaj Lajqit u shqiptua dënim me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

Ndaj tij u shqiptua konfiskimi i armës dhe u lirua nga paraburgimi deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.

Kurse i akuzuari Demokrat Lajqi u dënua me 200 euro gjobë për veprën penale të sulmit, të cilën do të paguaj brenda afatit prej 30 ditësh.

Ndryshe, në seancën e sotme, i pandehuri Fisnik Lajqi, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Valbona Dishaj-Haxhosaj, e ka pranuar fajësinë për vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje.

I fajëshëm u deklarua edhe i pandehuri Demokrat Lajqi, i akuzuar për veprën penale të sulmit, raporton “Betimi për Drejtësi”./Insajderi.com