Dënohet me 13 vjet burg autori i vrasjes në Ferizaj më 2016

Dënohet me 13 vjet burg autori i vrasjes në Ferizaj më 2016

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 13 vjet burgim të akuzuarin M.A. për vrasjen e kryer në Ferizaj më 18 gusht 2016, shkruan Insajderi.

“I akuzuari, me datë 18 gusht 2016, rreth orës 18:00 në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin S. R., duke shtënë në drejtim të tij dy herë me revole të tipit “Vzor” 50 të kalibrit 7.65 mm”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

“Në ditën kritike i ndjeri takohet me të akuzuarin dhe fillojnë të bisedojnë, lidhur me një mosmarrëveshje të mëhershme dhe pas një bisede te tensionuar i akuzuari nxjerrë revolen dhe shtënë dy herë në drejtim të ndjerit S. R., i cili po ashtu posedonte një revole.”

Me këto veprime, i akuzuari M. A., ka kryer veprat penale “vrasje” dhe “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Trupi gjykues për dispozitivin e parë të aktakuzës ka shqiptuar dënim prej 12 vite e gjashtë muaj burgim, ndërsa për dispozitivin e dytë i shqipton dënim një vit burgim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Insajderi.com