Dënohet me 20 vjet burgim i akuzuari për vrasje të rëndë në Ferizaj

Dënohet me 20 vjet burgim i akuzuari për vrasje të rëndë në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me 20 vite burgim të akuzuarin me inicialet D.SH, për një vrasje që e kishte kryer tri vite më parë, njofton Insajderi.

Gjykata po ashtu i ka dënuar me nga dy vite e gjashtë muaj burgim të pandehurit me inicialet M.M dhe A.A për pjesëmarrje në rrahje.

“I pandehuri D.SH akuzohet se më 15 qershor 2018 në një kafiteri në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, me dashje direkte, nga hakmarrja e paskrupullt, ka privuar nga jeta E.I, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti, në të cilën tani i ndjeri e kishte goditur me thikë tani të pandehurin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, i pandehuri në shenjë hakmarrje ditën kritike, ka shkuar së bashku me të pandehurit M.M dhe A.A në kafiterinë e përmendur, ku ishte duke punuar tani i ndjeri, me ç’rast  e ka nxjerrë thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër, kurse i pandehuri M.M e godet me shishe të qelqit disa herë si dhe i pandehuri A.A e godet me shqelma, kështu që i ndjeri rrëzohet, kurse i pandehuri D.SH e godet edhe tetë (8) herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje pëson lëndime të rënda trupore, gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasoj e të cilave pasi dërgohet në QKUK në Prishtinë, ndërron jetë”, thuhet në njoftimin për medie.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./Insajderi.com