Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim të akuzuarin N. M. për vrasjen e bashkëshortes së tij, S.M.
Sipas njoftimit të gjykatës, vrasja ka ndodhur më 25 korrik 2020, kur i pandehuri për shkak të një fjalosje me viktimën, e kishte goditur me shufër metalike duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurse.
“I akuzuari dyshohet se me datë 25.07.2020 rreth orës 12:00 minuta, në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, më dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S. M., në atë mënyrë që fillimisht janë fjalosur e më pas i pandehuri ka marr një shufër metalike – mjet të përshtatëm me gjatësi 73 cm, e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës e cila rrëzohet në dysheme, më pas i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë, duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse për viktimën”, thuhet në komunikatën për media.
Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Insajderi.com