Dënohet me 4 mijë e 500 euro personi që sulmoi Valon Sylën

Dënohet me 4 mijë e 500 euro personi që sulmoi Valon Sylën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 mijë e 500 euro gjobë personin i cili e ka sulmuar fizikisht gazetarin Valon Syla, njofton Insajderi.

Gjykata njofton se vendimin për dënim e ka marrë pasi i akuzuari me inicialet B.J., e ka pranuar fajsinë dhe ka kërkuar falje.

“Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit mori parasysh rrethanat lehtësuese, si pranimin e fajësisë nga i akuzuari B.J., kërkim faljen dhe pendimin për kryerjen e veprës penale, ndërsa rrethanë rënduese mori rrethanat në të cilat është kryer vepra penale në vend publik dhe në prezencë të kalimtarëve të rastit, duke shkaktuar shqetësim në popullatë për veprimin e kryer ndaj dëmtuarit-gazetarit V.S. për shkak të shprehjes së mendimit të lirë përmes rrjeteve sociale”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur me datë 22.12.2020, rreth orës 12:00, në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë.

“I akuzuari B.J., i pa kënaqur me shkrimet që i dëmtuari-gazetari V.S i kishte bërë në rrjetin social Facebook, rreth diasporës dhe të cilat shkrime ishin shpërndarë në portale të ndryshme, me dashje e kishte goditur me duar në kokë dhe qafë të dëmtuarin-gazetarin V.S., të cilit i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore sipas ekspertizës mjeko-ligjore”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com