Dënohet me 6 vjet burg serbi i akuzuar për krime lufte

Dënohet me 6 vjet burg serbi i akuzuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për të akuzuarin për krime lufte, ish-policin Nenad Arsiq.

Arsiq është dënuar me gjashtë vjet burgim, për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, e që në këtë dënim llogaritet edhe koha e paraburgimit.

Ai akuzohet se më 21 maj 1999, në bashkëkryerje me personat e tjerë të forcave policore serbe, të paidentifikuar deri më tani, kishte marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Në familjen Shala në Prishtinë, anëtarët e saj i kishte rrahur dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore, si dhe kishte marr pjesë në shkatërrimin masiv të pasurisë, e ku kishin përvetësuar naftë, vetura dhe 200 mijë marka gjermane të fshehura nga kjo familje.

Gjykata kishte njoftuar në seancën e kaluar se më 1 dhjetor ka pranuar aktakuzën e ndryshuar ndaj të pandehurit Nenad Arsiq, nga Prokuroria Speciale, ku i akuzuari, tani nuk do të gjykohet për dy vepra penale por vetëm për një vepër penale. /Insajderi.com