Është dënuar me 800 euro gjobë i akuzuari me inicialet R.M., pasi i njëjti në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në Prizren, nuk e kishte deklaruar pasurinë, njofton Insajderi.
Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se i akuzuari ka afat prej 15 ditësh për ta paguar gjobën. Nëse nuk e bën një gjë të tillë atëherë, do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur 20 euro ditën, respektivisht 40 ditë burgim.
“Nga data 01.03.2019, deri me 31.03.2019, i pandehuri R.M., në cilësi të zyrtarit të lartë publik, i kualifikuar sipas nenit 1 (par. 1, p.1.1) të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar në formularin për deklarimin e pasurisë nr. DRV ….. të datës 28.03.2019, të paraqitur në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë, nuk bën deklarimin në zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare të prindit të tij H.M., si dhe të hyrat nga këto aksione, të dhëna këto të domosdoshme për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik”.
“Kësodore ka kryer veprën penale mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 437 par.2 i KP-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
I akuzuari është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 30 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit./Insajderi.com