Dënohet me burg hajni që vodhi në një banesë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë

Dënohet me burg hajni që vodhi në një banesë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, sot e ka dënuar me tetë muaj burgim efektiv të akuzuarin për vjedhje të rëndë, Arton Përvetica.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, pasi që i akuzuari në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 korrik e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Gjykatësi Ajvazi ka njoftuar se i akuzuari Përvetica obligohet që ta paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Gjykatësi Ajvazi, ka njoftuar se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 dite nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2015, ka ngritur aktakuzë ndaj Arton Përveticës, duke e ngarkuar atë me veprën penale “Vjedhja e rëndë”, nga 253 par.1 pika 1 të KPK-së.

Sipas prokurorisë më 14 shtator 2012, në Prishtinë, lagjen “Arbëria”, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme dhe që vetit t’i sjell përfitim pasuror në mënyrë kundërligjshme, ka depërtuar në banesën e të dëmtuarit Korab Hoxha, në atë mënyrë që fillimisht me një mjet të fortë dhe të përshtatshëm ka dëmtuar cilindrin e derës së hyrjes së banesës, e pastaj ka hyrë brenda dhe pasi ka demoluar tërë banesën nga aty ka arritur që të merr një laptop, në vlerë prej 950 euro, stoli në vlerë prej 160 euro dhe disa stoli argjendi, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi