Dënohet me kusht personi që pranoi se me veturë goditi këmbësoren

Dënohet me kusht personi që pranoi se me veturë goditi këmbësoren

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me shtatë muaj burgim me kusht, të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Nazmi Makolli.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim, nëse nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, i akuzuari Krasniqi është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro, kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro, për ekspertizën mjekoligjore në shumën prej 20 euro, si dhe 40.88 euro për ekspertizën e komunikacionit rrugor.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Gjykatësi Ajvazi, bëri të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari Makolli, kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 28 tetor 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj  Nazmi Makollit, për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 8, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 2 maj 2017, në Prishtinë ka shkelur nenin 41.1 të Ligjit për Siguri në Komunikacionin Rrugor, në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin e tipit “BMW 525”, nga pakujdesia duke menduar me mendjelehtësi se deri te aksidenti nuk do të vijë, ka rrezikuar komunikacionin dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Në aktakuzë thuhet se derisa ishte duke lëvizur në parkingun prapa e ka goditur këmbësoren, tani të dëmtuarën Seabahate Bokshin, e cila duke ecur në drejtim të Qeverisë dhe si pasojë e goditjes rrezohet në tokë, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.