Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një mijë e 500 euro gjobë Fehmi Ramajn, pasi i njëjti ka pranuar fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ramaj po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, për të cilën vepër u deklarua i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 dhjetor 2019, Fehmi Ramaj akuzohet se më 30 maj 2014, rreth orës 16:00, në Shkollën Fillore të Mesme e Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, në cilësinë e personit zyrtar-mësues i nivelit të ulët shkollor, kujdestar i klasës së katërt, ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare, raporton Betimi për Drejtësi.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim që të përfitojnë dobi të tjerët, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e tij, duke ndërhyrë në ditarin e klasës IX/1, ku sipas dëshirës së tij kishte përmirësuar notat ekzistuese të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2013/14, në lëndën e Biologjisë, pa dijeninë e arsimit të lëndës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte ndërhyrë në notat e 11 nxënësve, duke përfshirë edhe djalin e tij, e duke i përmirësuar notat e tyre, me çka ka ngritur notën mesatare të tyre për të gjitha lëndët mësimore e kishte përmirësuar edhe sukseset e tyre të përgjithshme.Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, ai akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke shënuar të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar, ashtu që pasi kishte marrë ditarin e klasës së IX, në lëndën e biologjisë i kishte notuar 11 nxënës të kësaj klase me nota sipas dëshirës së tij, pa dijeni të arsimtarit të lëndës, tani dëshmitarit Hysen Halilaj.Me këtë, Ramaj akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” në bashkim real me veprën nga pika 1 e dispozitivit të aktakuzës./Insajderi.com