Dënohet me një vit burgim me kusht i akuzuari për konkursin në QKUK

Dënohet me një vit burgim me kusht i akuzuari për konkursin në QKUK

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, e ka dënuar me një vit burgim me kusht, ish-anëtarin e komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), Xhavit Bicaj,  i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Aktgjykimin e ka shpallur gjykatësi i rastit Shashivar Hoti, i cili tha se dënimi me burg, nuk do të ekzekutohet nëse tashmë i dënuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Gjithashtu, sipas këtij aktgjykimi, Bicaj, obligohet që të paguajë edhe shumën prej 100 eurosh, në emër të shpenzimeve procedurale dhe paushallit gjyqësor.

Kurse, e dëmtuara, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka hequr dorë nga kërkesat për kompensim pasuror.

Ndryshe, Xhavit Bicaj, akuzohej se më 31 korrik 2014, si anëtar i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të QKUK-së, kishte shkelur të drejtat e të tjerëve, duke ju dërguar testet me 29 pyetje dhe përgjigje të sakta, dy kandidatëve Sonja Blakaj dhe Ramë Miftari, nga 30 kandidatëve sa kishin konkurruar gjithsej./Betimi për Drejtësi/