Departamenti Amerikan i Shtetit përmend në raport arrestimin e Rugovës dhe shuarjen e task-forcës Anti-korrupsion

Departamenti Amerikan i Shtetit përmend në raport arrestimin e Rugovës dhe shuarjen e task-forcës Anti-korrupsion

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përmendur arrestimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugova dhe shuarjen e task-forcës anti-korrupsion, në raportin e publikuar për vitin 2020 për të drejtat e njeriut nëpër botë, duke përpiluar raport për secilin shtet, transmeton Insajderi.

Te pjesa ku flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës në Qeveri, DASH ka përmendur rastin e Rugovës, I cili ndodhi më 9 tetor.

“Më 9 tetor, Policia arrestoi Haki Rugovën, kryetar i Istogut nga radhë e LDK-së dhe një nga nënkryetarët e partisë, së bashku me zëvendësin e tij dhe një nëpunës civil komunal si pjesë e një hetimi për korrupsion. Pasi Rugova u vendos fillimisht në paraburgim, gjykata përfundimisht urdhëroi arrest shtëpiak prej 30 ditëve për Rugovën. Të tre personat u akuzuan për shpërdorim të detyrës, konflikt interesi dhe falsifikim të dokumenteve të lidhura me një kontratë që Komuna ia dha vëllait të kryebashkiakut. Rugova po i nënshtrohej një gjykimi në një çështje tjetër nën akuza për konflikt interesi. Në komentet publike, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, pretendoi për motivime politike prapa arrestimit, duke deklaruar se ka për qëllim diskreditimin e Rugovës dhe partisë dhe njollosjen e punës së Qeverisë Hoti”, thuhet në raportin e DASH-it.

Poashtu në këtë raporton është cekur edhe shuarja e task-forcës anti-korrupsion brenda Policisë së Kosovës nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, për çka raportohet se mediat kanë njoftuar se vendimi për shuarjen e kësaj task-force erdhi pas arrestimit të Rugovës, ndërsa nuk ishte koordinuar as me koalicionin qeverisës dhe as me bashkësinë ndërkombëtare.

“Sipas Kryeministrit ishte thënë se vendimi origjinal ishte anti-kushtetues, po as Policia e Kosovës e as Gjykata Kushtetutese nuk u këshilluan për këtë çështje. Vendimi nuk ishte i koordinuar me koalicionin qeverisës atëbotë dhe as bashkësinë ndërkombëtare. Në media ishte thënë se vendimi erdhi pas arrestimit të Haki Rugovës”, thuhet në raportin e DASH-it.

Në këtë pjesë të raportit të e DASH-it flitet edhe për gjykimin e ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo dhe shtatë zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë të akuzuar për abuzim të pushtetit. /Insajderi.com