Deputetët e Vetëvendosjes i kërkojnë Meliza Haradinajt raportim para komisionit parlamentar për punë të jashtme

Deputetët e Vetëvendosjes i kërkojnë Meliza Haradinajt  raportim para komisionit parlamentar për punë të jashtme

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që janë edhe anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kanë kërkuar që ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla të raportojë para këtij komisioni lidhur me zhvillimet e fundit në këtë ministri, njofton Insajderi

Deputetët Fitore Pacolli, Fatmire Kollçaku dhe Gazmend Gjyshinca i kanë bërë kërkesë kryetares së komisionit, Time Kadrijaj, që të ftojë me urgjencë në raportim Haradinaj-Stubllën, për të raportuar për punën që nga koha kur kjo e fundit ka marrë detyrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ditë më parë, Haradinaj-Stublla kishte pezulluar 40 vendime që ishin marrë nga ish-ministri Glauk Konjufca. Vendimet kishin të bënin me kthimin e diplomatëve me gradë më të ulët se ambasadorë e konsuj, e që janë në misione diplomatike më shumë se 4 vjet. /Insajderi.com