Deputetët humbin kontaktet me qytetarët

Deputetët humbin kontaktet me qytetarët

Kandidatët për deputetë janë aktivë gjatë fushatave zgjedhore dhe i gjen në çdo lagje dhe qytet të Kosovës, por posa fitojnë mandatin shkëputin kontaktet me qytetarët të cilët i kanë zgjedhur ata.

Kështu duket se po ndodh edhe me deputetët e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës. Ata nuk kanë zyra në komunat prej nga vijnë dhe rrallë takohen me elektoratin e tyre për të mësuar për hallet e tyre.

Albert Krasniqi, menaxher në Institutin Kosovar për Demokraci (KDI) ka thënë për gazetën Insajderi se sistemi zgjedhor në Kosovë është i dizajnuar në atë mënyrë që të gjithë deputetët zgjedhën në një zonë të vetme zgjedhore, gjë që ndikon në lidhje më të dobëta ndërmjet votuesve dhe deputetëve.

“Megjithkëtë, nëse analizojmë qytetet prej nga deputetët kanë marrë më së shumti vota për t’u zgjedhur në Kuvend, mund t’i ndajmë në dy grupe: deputetët të zonave të cilët kanë përkrahje të koncentruar në një zonë të caktuar, si dhe deputetë të qendrës të cilët kanë votë më të shpërndarë në më shumë qytete të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, deputetët e zonave janë më aktiv në mbajtjen e lidhjeve me elektoratin e tyre, duke bërë vizita më të shpeshta në teren, apo edhe duke ngritur më shumë çështje në Kuvend që ndërlidhen me interesat lokale.

“Kurse deputetët e qendrës, më shumë janë të përqëndruar në çështje të përgjithshme”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, meqenëse Kuvendi i Kosovës nuk mbulon shpenzimet në rast të hapjes së zyrave të deputetëve në zona, por as nuk iu ofron zyra në ndërtesën e Kuvendit, kontaktet e deputetëve me qytetarët bëhen gjithmonë më të vështira.

“Për këtë qëllim, ne në KDI kemi ofruar një platformë të komunikimit ndërmjet zgjedhëse dhe të zgjedhurve të qujatur Vota Ime. Për fillim kemi qenë të kënaqur me gatishmërinë e shumë deputetëve për t’u përgjigjur në pyetjet e qytetarëve. Nga legjislatura e kaluar, kemi informata që deputetja Ganimete Musliu ka pasur zyrë, por që nuk kemi informata për deputetë të tjerë”, ka thënë Krasniqi.

Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Republikës së Kosovës njofton se më herët ka pasur një projekt për të ndihmuar deputetët të hapin zyre në komunat prej nga vijnë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, konform funksionit të vet përfaqësues, është i përkushtuar të forcojë komunikimin midis ligjvënësve dhe zgjedhësve të tyre”, thuhet në një përgjigje që Kuvendi i ka kthyer gazetës Insajderi.

Kuvendi vlerëson se një nga format efikase të këtij komunikimi do të ishte edhe hapja e zyrave të deputetëve nëpër komuna prej nga vijnë, pavarësisht se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, të cilat do të mundësonin kontakte të drejtpërdrejta midis deputetëve dhe qytetarëve.

“Në funksion të kësaj, në vitin 2010, Kuvendi ka lehtësuar një takim në mes të Asociacionit të Komunave, Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe OSBE-së, për të arritur një marrëveshje rreth krijimit të zyrave të deputetëve në hapësirat e Kuvendit Komunale të çdo komune të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Bëhet e ditur se USAID-i, nëpërmjet NDI-së, në vitin 2011 ka mbështetur hapjen e një zyre në Prishtinë dhe në Graçanicë, të cilat janë shfrytëzuar nga disa deputetë për të zhvilluar takime të rregullta me qytetarë, kurse shpenzimet operative janë mbuluar në kuadër të projektit.

Ngjashëm, në mandatet e kaluara, NDI-ja ka mbështetur disa deputetë në hapjen e zyrave individuale në qytete të ndryshme të Kosovës si p.sh. Gjylnaze Syla në Pejë, Fehmi Mujota në Shtime, Donika Kadaj në Istog, Myrvete Pantina në Vushtrri etj.  Bëhet e ditur se këto zyre kanë operuar me shpenzimet e vetë deputetëve.

Ish-deputeti i PDK-së, Hajredin Hyseni, ka thënë për gazetën Insajderi se ka hapur i pari një zyrë të tillë në qytetin e Podujevës në vitet 2006-2007, por për këtë iniciativë përveç mbeshtetjes morale nuk ka pasur mbështetje materiale.

Megjithatë, ai konsideron se hapja e zyrës kishte ndikuar pozitivisht në punën e tij si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ka qenë një përvojë pozitive sepse të jepet mundësia të jesh më afër me qytetarë të dëgjosh hallet dhe brengat e tyre dhe të përpiqesh t’i zgjedhësh ato probleme”, ka thënë Hyseni.

Hyseni shprehet se do t’ia rekomandonte edhe deputetëve të rinj që të ndërmarrin një iniciativë të tillë dhe të ruajnë kontaktet me qytetarët./Insajderi