Deputetët kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria Hoti për hyrjen e xhandarmerisë serbe në Kosovë

Deputetët kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria Hoti për hyrjen e xhandarmerisë serbe në Kosovë

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë plenare ku po diskutohet për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

Një gjë të tillë LDK e sheh si çështje teknike që ndodh për 20 vite me radhë, ndërsa tri partitë e tjera parlamentare e konsideruan si shkelje të sovranitetit të vendit dhe rrezik për destabilizim.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi akuzoi kryeministrin, Avdullah Hoti për mos ndërmarrjen e asnjë veprimi pas këtij incidenti, që sipas tij është më i rëndi që nga viti 2012.

“Kushtetuta në të cilën thirrej me plotë gojë Avdullah Hoti me 7 gusht bë copë-copë dhe u shkel rëndë në mes të ditës. Hyrja e personave të uniformuar është një nga incidentet më të rënda që nga viti 2012, ky është një provokim i hapur, cenim integritetit, cenim i sovranitetit shtetëror dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare… ky incident më shumë se incident i sigurisë është diplomatik dhe duhet të shihet në këtë rrafsh në raport me dialogun. Por kjo qeveri nuk bëri asnjë hap as në rrafshin e sigurisë, e aq më pak diplomatik” tha ai.

E ashpër në reagimin e saj ishte edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha këto provokime të Serbisë paraqesin rrezik për Kosovën.

“PDK-ja është thellësisht e shqetësuar nga shkelja flagrante të sovranitetit territorial të Kosovës nga xhandarmeria serbe e cila jo rrallëherë po synon të shkaktojë konflikt që askush nuk do të dëshironte. Hyrja e xhandarmerisë serbe në atë zonë dhe kontrollet që i bëjnë janë kërcënim direkt për qytetarët e Karaçevës veçanti dhe Kosovës në përgjithësi. PDK-ja më shqetësues e sheh faktin se qeveria dhe institucionet nuk e kanë prishur komoditetin e tij, e kanë neglizhuar dhe kaluar në heshtje këtë provokim”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha kërkoi që ky incident mos të relativizohet nga askush, derisa kritikoi ministrat që mbulojnë sektorin e sigurisë për mos raportim para kuvendit.

“Incidenti ndërkufitar me Serbinë nuk bënë të relativizohet nga askush. Qofshin nga ata që janë në qeveri apo opozitë. Pavarësisht se kush është në detyrë…nëse i kanë marrë detyrat këta persona atëherë të përballen me përgjegjësi. Ndonjëherë duhet dhënë përgjegjësi besa shpesh sidomos njerëzit që i kemi zgjedhur për këto detyra”, u shpreh ai.

Por, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi këtë e konsideron si çështje teknike që veprohet tash e 20 vite.

“Kjo hyrje është bërë në bashkëpunim dhe patrullim me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Kjo përsëritet se 20 vite sepse edhe forcat e NATO-s kalojnë në anën tjetër, pra është çështje teknike…e dina që është problem një pjesë e kufirit të Kosovës, ky është problem por ejani të zgjidhim. Jo të ndërtojmë kauza dhe akuza të paqena me qëllim se të fitojmë opinionin publik përkohësisht por besoni që nuk e fitoni”, tha ai. /Insajderi.com