Deputetët kërkojnë strategji të qartë karshi vendeve që s’e kanë njohur Kosovën

Deputetët kërkojnë strategji të qartë karshi vendeve që s’e kanë njohur Kosovën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët janë pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ku u diskutua lidhur me pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë kërkuar unitet politik dhe plan strategjik kombëtar në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.

Në mbledhje po ashtu u potencua se mosnjohja e Kosovës nga këto vende paraqet rrezik për sigurinë e vet BE-së, njofton Insajderi.

Kryetari i komisionit, Haki Abazi, tha se procesi i hapur i dialogut ka krijuar justifikimin e pesë shteteve anëtare të BE-së që të shtyjnë njohjen e Kosovës.

Abazi theksoi se në bashkëbisedim me ministren e MPJD-së, Donika Gërvalla, do të marrë informacione se si ka qenë qasja karshi këtyre pesë vendeve në të kaluarën.

“Gjithçka që ka të bëjë me njohjen duhet të jetë prioritet. Çka po marr unë përsipër është që të bisedoj me ministren për të parë se çfarë është bërë në të kaluarën në këtë drejtim. Kjo nuk po bëhet për kritikë për të kaluarën.

Çka mund të ndaj me komisionin është që mosnjohja e pavarësisë së Kosovës është rrezikim i ombrellës së sigurisë së Bashkimit Evropian. Aspirata jonë është që të marrim ulësen në OKB”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj tha se Kosova ka aspirata të mëdha, derisa shtoi se takimet  bilaterale pandemia i ka penguar.

Sipas saj, qasja e ministres Gërvalla karshi këtyre proceseve është e gabuar.

“Politika e BE-së është se disa vende kanë avancuar dhe ne kemi mbet. Kriteri i krimit dhe korrupsionit nuk është se përfundon këtu, dhe nuk duhet të bëhet gabim sërish”.

Komisioni në mbledhjen e sotme i ka propozuar Kryesisë së Kuvendit formimin e 56 grupeve të miqësisë.

Deputetja Kadriaj ka kërkuar nga anëtarët e komisionit që të angazhohen në formimin e këtyre grupeve./Insajderi.com