Deputetët minoritarë mund ta ndryshojnë votën

Deputetët minoritarë mund ta ndryshojnë votën

Deputetët minoritarë në Kuvendin e Kosovës thonë se nëse koalicioni PAN nuk do të arrijë ta formojë Qeverinë, atëherë votën e tyre mund t’ia garantojnë një koalicioni të mundshëm mes “Vetëvendosjes” dhe LAA-së.

Veton Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, thotë se mund ta përkrahë koalicionin e mundshëm mes “Vetëvendosjes” dhe LAA-së, por me kushte të njëjta si për koalicionin PAN.

Koalicioni PAN për disa herë me radhë ka dështuar ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit në mungesë të votave të nevojshme të deputetëve.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kandidat i PAN-it për kryeparlamentar, ka deklaruar në seancën e javës së kaluar të Kuvendit se nëse Albin Kurti arrin t’i sigurojë 61 vota të deputetëve, ai e ka përkrahjen e plotë që t’i formojë institucionet, shkruan “Zëri”.

Përfaqësuesit e komunitetit egjiptian i kanë kërkuar më herët koalicionit PAN që t’ia japë drejtimin e një ministrie të Qeverisë së re për t’ia garantuar votën e tyre në Kuvend.

“Unë e përkrah edhe palën tjetër nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe me Rregulloren e Kuvendit. Ne do t’i kemi kërkesat e njëjta sikurse që i kishim me PAN-in”, ka thënë Berisha për “Zëri”, duke shtuar se deri më tani nuk kanë pasur asnjë ftesë nga LDK-ja dhe nga LVV-ja për të biseduar për një bashkëpunim të mundshëm.