Vetëm 42 deputetë kishin votuar pro amendamenti që do ta obligonte qeverinë e Kosovës të paguajë asistentët ose mësuesit plotësues për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike. Por të premten ky amendament ka dështuar, për shkak se i mungojë vetëm një votë, shkruan Insajderi.
Ky vendim i Kuvendit i ka dëshpëruar prindërit e 6 mijë e 195 fëmijëve të regjistruar në arsimin gjithëpërfshirës.
Insajderi ka siguruar votat individuale të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku shumica e deputetëve të PDK-së AAK-së dhe Nismës kanë votuar kundër, përderisa kundër janë shprehur edhe Lista Serbe.
Gjashtë deputetët të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë votuar pro këtij amendament por deputetët e tjerë të kësaj partie nuk kanë votuar fare.
Ndërkaq, amendamenti i propozuar nga Arbërie Nagavci u përkrah nga të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkohë, që pas dështimit të amendamentit vetë, Arbërie Nagavci e cila kishte propozuar amendamentin kishte kritikuar kuvendin dhe Qeverinë.
“Mospërkrahja e Amandamentit që kisha propozuar për Asistentët e fëmijëve me nevoja të veçanta, psikologëve dhe pedagogëve në çerdhe dhe shkolla nga ana e deputetëve, është edhe një dëshmi më shumë për papërgjegjësinë e kësaj shumice dhe të qeverisë. Përpos se tregon për mospërmbushjen e obligimeve ligjore, flet shumë edhe për prioritetet që kanë, andaj dhe për mendësinë, mënyrën e qeverisjes e të përmbushjes së besimit e të përgjegjësive të marra”, kishte thënë ajo./Insajderi.com